Korporata Energjetike e Kosovës SH.A.
Energetska Korporacija Kosova D.D.
Kosovo Energy Corporation J.S.C.
 
2/8/2012
 
  Profili

Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është ndërmarrja e vetme energjetike në Republikën e Kosovës. Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005.

Në periudha të ndryshme kohore KEK sh.a. iu nënshtrua ndryshimeve të shumta. Për një kohë të gjatë, sistemi energjetik i Kosovës ka qenë pjesë përbërëse e sistemit energjetik të ish-Jugosllavisë. Gjatë asaj periudhe, prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë i koncentruar në prodhimin e saj nga qymyri (termo) dhe në një sasi shumë të vogla nga uji (hidro). Gjatë kësaj kohe furnizimi me energji elektrike nuk është bërë vetëm nga termocentralet e Kosovës, por edhe nga burimet tjera që prodhonin energjinë elektrike e që ishin të shpërndara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta, pas anulimit të statusit autonom të Kosovës dhe fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Korporata iu nënshtrua shfrytëzimit të egër dhe nuk u bë asnjë investim në sistemin energjetik të Kosovës. Kjo gjendje ka mbizotëruar deri në mesin e muajit qershor të vitit 1999, kur me përfundimin e luftës ka filluar kthimi i punonjësve shqiptarë të Korporatës nëpër vendet e tyre të punës. Në vitet 1989 - 1999 shumica e ekspertëve vendorë janë dëbuar nga vendet e tyre të punës. Pas kësaj kohe, kanë filluar investimet në kthimin e funksionalitetit të strukturës energjetike të Korporatës, fillimisht përmes mbështetjes së institucioneve ndërkombëtare e më vonë edhe të atyre vendore.

Sot, funksion parësor i Korporatës është prodhimi i qymyrit, prodhimi i energjisë elektrike, shpërndarja e saj, shërbimi i shitjes dhe përkujdesja ndaj konsumatorit. Për të përmbushur funksionet e sipërpërmendura, KEK-u është i organizuar në katër Divizione kryesore: Divizionin për Prodhimin e Qymyrit, të Gjenerimit të Energjisë, të Shpërndarjes dhe Divizionin e Furnizimit. Korporata operon me dy mihje sipërfaqësore, gjegjësisht Mihjen e Mirashit dhe të Bardhit, dy termocentrale, TC "Kosova A" dhe TC "Kosova B" dhe rrjetin e shpërndarjes me një gjatësi prej 18.898.43 km ( nga niveli i tensionit 0.4 kV deri ne 35 kV), që është i shtrirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Përfundimisht operon edhe me sektorin e furnizimit, ku përfshihet edhe funksioni i shitjes së energjisë elektrike. Funksionet e Korporatës rregullohen përmes politikave të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës.

Korporata i ka të regjistruar rreth 400.000 konsumatorë të niveleve të ndryshme dhe punëson rreth 8000 punonjës të fushave të ndryshme të operimit.

 

Qendra e Thirrjes: 038 501 701 1000
038 791 000
038 55 11 11

Audit-Intern 038 55 66 22
Departamenti për Komunikime 038 501 701 1210
© 2010 Korporata Energjetike e Kosovës